BB: Ekonomia shqiptare, trend në rritje
2024-06-13 11:28:18

Foto nga ATSH

Banka Botërore vlerëson pozitivisht trendin në rritje të ekonomisë shqiptare, teksa shpreh angazhimin për të mbështetur Shqipërinë në disa drejtime kryesore ekonomiko-sociale.

Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas, tha se  ekonomia shqiptare duhet të orientohet drejt eksporteve dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore, si sektorë potencialë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, citon “ATSH”.

I pranishëm në një takim biznesi që u zhvillua në Tiranë, ai theksoi se fokusi duhet të jetë në shfrytëzimin e burimeve natyrore për rritjen e produktivitetit dhe të investimeve.

Salinas tha se Banka Botërore, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, po punon për rritjen e cilësisë së edukimit të të rinjve në shkollat profesionale dhe në universitete.

“Kapitali njerëzor, njerëzit e talentuar të këtij vendi, sidomos të rinjtë, kontributi i tyre, janë të rëndësishëm për rritjen e produktivitetit të ekonomisë dhe ardhjen e kompanive të huaja.

Tre janë prioritet e Bankës Botërore në Shqipëri: E para, është të krijohen vende pune dhe me paga të larta. Ka vende punë në sektorin e ndërtimit, në sektorin katering, por nuk ofrohen vende pune në sektorë të tjerë.

Prioriteti i dytë është kapitali human. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për kompanitë e huaja që vijnë në Shqipëri.

Prioriteti i tretë është rimëkëmbja e vendit, pas goditjeve nga tërmeti i 2019-s, pandemia e Covid-19 apo kriza energjetike”,- theksoi ai. (Elona)