Guvernatori Sejko pret presidentin e “Mastercard Europe”: Rritje e pagesave elektronike
2024-06-13 11:11:36

Foto RTSH

Pamje nga takimi(Foto RTSH)

Promovimi i pagesave elektronike në ekonominë shqiptare dhe mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit u diskutuan në takimin mes guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe presidentit të “Mastercard Europe”, Mark Barnett. 

Guvernatori Sejko prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për nxitjen e përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike, të cilat janë reflektuar më së miri në ekonominë shqiptare, bën të ditur “RTSH”. 

Foto:VCG

Foto:VCG

Barnett konfirmoi se, bazuar në transaksionet e procesuara nga “Mastercard”, Shqipëria ka një shtim të qenësishëm të pagesave me kartë në vitet e fundit. Nga të dhënat në dispozicion, rezulton se Shqipëria është vendi i dytë në Europë dhe i tretë në botë me rritjen më të lartë të turizmit në vitin që lamë pas.

Sejko dhe Barnett shqyrtuan mundësitë e vijimit të mëtejshëm të politikave stimuluese për përdorimin sa më të gjerë të pagesave elektronike edhe në transaksionet e përditshme të qytetarëve, duke mundësuar pagesat e shpejta nga celulari.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sejko prezantoi projektet e Bankës së Shqipërisë për krijimin e një sistemi “Instant Payment” me asistencën e Bankës së Italisë, duke replikuar sistemin TIPS të operuar nga Banka Qendrore Europiane, si dhe anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA, i cili po ecën me ritme tepër pozitive.

Barnett u angazhua për mbështetjen e Shqipërisë me njohuritë e nevojshme dhe krijimin e mekanizmave për minimizimin e rreziqeve që lidhen me mashtrimet, krimin kibernetik dhe parandalimin e pastrimit të parave.  (Elona)