Aplikacioni për turistët, kryeministri Rama: Më 2030-n, Shqipëria kampione e turizmit në rajon
2024-06-13 11:15:43

Foto nga VCG

Aplikacioni TEA për mbështetjen e turistëve së shpejti do të pasurohet me inteligjencë artificiale dhe harta 3D për ta bërë të plotë të gjithë tablonë e Shqipërisë turistike. Deklarata u bë nga kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të këtij aplikacioni, ku gjithashtu u ndal te shifrat nga industria e turizmit në muajt e parë të këtij viti, bën të ditur “RTSH”.

“Monumentet historike dhe sitet arkeologjike vetëm në 4 muajt e parë të vitit kanë tërhequr 182 mijë vizitorë, ndërkohë që parqet tona kombëtare e natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë. Kjo është një shifër e paimagjinueshme disa vite më parë dhe kuptimplotë për atë që po përpiqemi të bëjmë”,- tha Rama.

Kryeministri Rama tha se po punohet drejt një synimi të vetëm, atë të kthimit të Shqipërisë në një vend kampion të turizmit në rajon deri në vitin 2030.

Shefi i qeverisë shqiptare tha se si pjesë plotësuese e zhvillimit turistik të vendit do të jetë edhe infrastruktura, ku këtë sezon pritet të hapet tuneli i Llogarasë dhe disa akse të reja si Orikum-Dukat dhe Thumanë-Kashar, që do të lehtësojnë trafikun. Gjithashtu aeroporti i Vlorës do të jetë funksional në sezonin veror të 2025-s.

“Shqipëria e 2030-s do të jetë një vend kampion i rajonit në turizëm, por do të ketë të plotësuar të gjitha ato pjesë të atij mozaiku që sot ende mungojnë. Kemi një sezon të ri që hapet me disa vepra të mëdha të infrastrukturës në dispozicion të udhëtarëve dhe turistëve. Shqipëria e 2030-s do të ketë një ofertë turistike spektakolare në aspektin e transportit për sa u përket flukseve që shkojnë në bregdet”,- tha Rama.

Kryeministri tha se vendit nuk i duhet vetëm rritja e numrit të turistëve, por të ardhurat nga ata që do të shërbejnë për zhvillimin ekonomik. (Elona)