Hamasi pranon planin për armëpushim në Gaza, por shton disa kërkesa
2024-06-13 10:51:07

Foto nga VCG

Hamasi njoftoi se e pranon planin e armëpushimit të propozuar nga SHBA-ja për luftën në Rripin e Gazës, por i ka shtuar marrëveshjes kërkesat e kahershme që nuk plotësoheshin nga plani aktual.

Egjipti dhe Katari bënë të ditur se kishin marrë përgjigjen e Hamasit, por nuk e zbuluan përmbajtjen, shkruan “RTSH”.

Një anëtar i byrosë politike të Hamasit tha se përgjigjja e grupit islamik ishte përgjegjëse, serioze dhe pozitive dhe hap një rrugë të gjerë për një marrëveshje.

Një zyrtar tjetër i Hamasit tha se përgjigjja ripohoi qëndrimin e lëvizjes se një armëpushim duhet të çojë në përfundimin e përhershëm të armiqësive në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e enklavës palestineze dhe lirimin e të burgosurve palestinezë në Izraeli.

“Ne përsëritëm qëndrimin tonë të mëparshëm. Besoj se nuk ka boshllëqe të mëdha. Topi tani është në anën izraelite”,- deklaroi zyrtari i Hamasit.

SHBA-ja bëri të ditur se Izraeli e ka pranuar propozimin e tij, por Izraeli nuk e ka bërë publikisht të ditur këtë. Izraeli ka vazhduar sulmet në Gazën qendrore dhe jugore që janë ndër më të përgjakshmet e luftës.

Një zyrtar izraelit tha se Hamasi ka refuzuar propozimin për lirimin e pengjeve që u paraqit nga presidenti amerikan.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi në favor të një rezolute të SHBA-së që mbështet një armëpushim dhe lirim gradual të pengjeve izraelitë në Gaza në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael, duke çuar në fundin e luftës.(Elona)