Prezantimi i TEA 2.0, Kumbaro: Shqipëria po jeton momentet më të mira në turizëm
2024-06-13 10:00:14

Foto nga VCG

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantuan Kalendarin Digjital të Eventeve në Turizëm përmes aplikacionit TEA 2.0.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në ceremoninë e paraqitjes së kësaj platforme, u shpreh se falë kalendarit të eventeve, atraksionet dhe ngjarjet turistike të Shqipërisë kanë pasur një jehonë më të gjerë, citon “ATSH”.

“Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë dhe kemi një instrument që na ndihmon, dhe ai është TEA – Kalendari i Eventeve Turistike – i krijuar për herë të parë vitin e kaluar dhe që tejkaloi gjithë parashikimet tona më optimiste duke u përqafuar nga mijëra turistë vendas e të huaj. Këtë vit vjen me më shumë opsione, me ambicien për të qenë një udhërrëfyes digjital për ngjarjet turistike”,- u shpreh Kumbaro.

Ministrja u ndal edhe te sukseset në shifra të turizmit dhe promovimin e Shqipërisë si vendi i nderit në panairin ITB-Berlin 2025.

“Shqipëria po përjeton një moment të bukur në turizëm jo vetëm për numrin rekord të turistëve të huaj, por edhe si destinacioni i këtij viti në arenën ndërkombëtare të kësaj industrie. Rreth 3.3 milionë turistë kemi mikpritur gjatë këtyre pesë muajve të parë ose rreth 40% më shumë se në njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vërtetuar të gjitha projeksionet e bëra edhe në bashkëpunim me sektorin privat”,- u shpreh ministrja Kumbaro.

Në vitin e dytë të saj, kjo platformë vjen e përmirësuar dhe e pasuruar jo vetëm me evente të turizmit e ngjarje kulturore, por mundëson edhe informacion të plotë të njësive të mikpritjes dhe shërbimeve, si dhe ndërlidhet me faqe të tjera zyrtare që ofrojnë informacione të rëndësishme për turistët, siç janë e-Transport, udhërrëfyesit e certifikuar lokalë e kombëtarë, operatorët detarë të licencuar etj. (Elona)