Prokurimet nga NATO, Peleshi takim me përfaqësues të Aleancës dhe biznesit shqiptar
2024-06-13 14:28:10

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mori pjesë në një takim mes përfaqësuesve të Agjencisë së NATO-s për Komunikimin dhe Informacionin (NCIA) dhe të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes me përfaqësues të dhomave të tregtisë, industrisë dhe sipërmarrës.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi (Foto ATSH)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi (Foto ATSH)

Ky aktivitet, i titulluar “Dita e industrisë”, kishte si synim dhënien e një informacioni mbi procedurat e prokurimit, legjislacionit dhe kushtet që duhet të plotësojnë operatorët ekonomikë në Shqipëri për të marrë pjesë në prokurimet ndërkombëtare, por edhe për të përcaktuar një bashkëpunimin mes bizneseve shqiptare dhe agjencive të NATO-sm shkruan “ATSH”.

Gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi nxiti përfaqësuesit e biznesit të aplikojnë dhe të përfitojnë nga këto projekte, duke shprehur nga ana tjetër gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për krijimin e urave të duhura të bashkëpunimit ndërmjet operatorëve privatë shqiptarë dhe përfaqësuesve të strukturave me përvojë të NATO-s.

“Konfliktet kanë bërë që kërkesa të rritet shumë për armatime, për ushqime apo mallra të tjera që prokurohen në këto agjenci të NATO-s. Bota e madhe e konflikteve në rritje ka sjellë edhe rritje të kërkesës dhe ne ju ftojmë të përfitoni nga këto kontrata. Tashmë kemi më shumë se 30 vite eksperiencë. Kemi kompani të shkëlqyera që sa herë kanë dalë jashtë vendit kanë fituar besim për shkak se e kanë rritur standardin”,- u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Në këtë aktivitet që u mbajt në Qendrën e Inovacionit, ministri Peleshi evidentoi edhe disa nga projektet që po marrin jetë në këtë qendër e që do t’u vijnë në ndihmë sipërmarrjeve.

Para sipërmarrësve, ministri foli edhe për nismën e re për rigjallërimin e industrisë ushtarake në vend.

“Ne po punojmë fort për të ndërtuar kuadrin ligjor dhe më vonë edhe institucional të industrisë ushtarake në vend. Kemi asete të së shkuarës, të cilat me investime të përbashkëta mund të riaktivizohen. Por, së pari, na duhet një kuadër ligjor i përshtatshëm”,- u shpreh ministri Peleshi. (Elona)