Inteligjenca artificiale në Kuvend, shpallet tenderi 74.5 milionë lekë
2024-06-12 09:55:23

Foto nga RTSH

Në kuadër të rritjes së transparencës, efikasitetit në punë dhe digjitalizimit të institucioneve, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të përdorë inteligjencën artificiale në zbardhjen e fjalimeve të deputetëve në seancat plenare, komisionet dhe çdo konferencë që do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit.

Kuvendi ka hapur një tender prej 74.5 milionë lekësh për të përdorur inteligjencën artificiale në transkriptimin e audios në tekst, duke shkurtuar kohën e punës por edhe rritur transparencën dhe efikasitetin në kërkim dhe arkivat e Kuvendit, bën të ditur “RTSH”.

Sipas të dhënave, shërbimi i redaktorëve të Kuvendit transkripton dhe redakton mbi 10 orë materiale audio në ditë duke sjellë vonesa. Përdorimi i inteligjencës artificiale në transkriptimin automatikisht të seancave plenare dhe komisioneve do të siguronte rritjen e produktivitetit dhe transparencën e plotë në kohë reale. Ky shembull digjitalizimi ndiqet aktualisht nga Parlamentet e Italisë, Irlandës dhe Gjeorgjisë.

Fondi limit i tenderit është 74.5 milionë lekë pa TVSH. Periudha e zbatimit të kontratës do të jetë 5 muaj implementim, që kushton 41.4 milionë lekë, dhe 4 vjet mirëmbajtje, që kushton 33.1 milionë lekë. (Elona)