OKB miraton rezolutën për armëpushim në Gaza të paraqitur nga SHBA-ja
2024-06-12 11:52:31

Foto nga VCG

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi projektrezolutën e SHBA-së që mbështet planin e armëpushimit në Gaza, të prezantuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ftoi Hamasin ta pranonte atë.

Drafti u kërkon të dyja palëve të zbatojnë plotësisht kushtet e planit pa vonesë dhe pa kushte.

Katërmbëdhjetë shtete anëtare votuan në favor të draftit, ndërsa Rusia abstenoi.

Rezoluta parashikon përfundimin e luftimeve në Gaza përmes tre fazave, shkruan “ATSH”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ftoi Hamasin të demonstrojë se me të vërtetë dëshiron një armëpushim në Rripin e Gazës duke pranuar marrëveshjen e propozuar në planin e SHBA-së që u miratua nga Kombet e Bashkuara.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën tonë që fton Hamasin të pranojë marrëveshjen për të vendosur një armëpushim me lirimin e pengjeve izraelite. Kjo marrëveshje është një mundësi për të treguar se ata janë seriozë”, shkroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një postim në “X”. (Elona)