Subvencionet në bujqësi, alokohen 100% fondet për fermat organike
2024-06-12 15:37:27

Ferma (Foto ATSH)

Ferma (Foto ATSH)

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural publikoi raportin të buxhetit për 4-mujorin e parë të vitit 2024, mbi ecurinë e përgjithshme të skemave të saj të mbështetjes në bujqësi.

Duke iu referuar këtij raporti, MBZHR-ja bën të ditur se kanë aplikuar rreth 15.597 aplikantë në skemat kombëtare. Aplikimi më i madh vazhdon të jetë për  blegtorinë, me rreth 62.6% të aplikimeve, ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 13% të totalit të aplikimeve, bën të ditur “ATSH”.

Për masën nr. 6 “Fermat organike”, masën nr. 7 “Global Gap”, si dhe masën nr. 8 “Grup fermerësh dhe SHBB”, fondi është alokuar në masën 100% të totalit të aplikimeve”, raporton MBZHR-ja.

Në raportimin e buxhetit, ministria ndalet edhe tek ecuria e skemës së subvencionit që lidhet me naftën pa taksa.

“Ka përfunduar procesi i aplikimit, me rreth 54.255 aplikime në total me një fond të kërkuar prej rreth 3559 milionë lekë. Me buxhetin aktual mbulojmë vetëm 35.2% të kërkesës. Në ndryshim nga vitet e kaluara për herë të parë këtë vit pagesa do të kalojë direkt në llogari të fermerit, bazuar në kriteret e përcaktuara në VKM dhe udhëzimin përkatës”,- thuhet në raportin e ministrisë. (Elona)