Sondazhi i CGTN-it | Gati 80% e të anketuarve globalë mendojnë se SHBA është e vetmja "superfuqi sanksionuese" në botë
2024-06-12 20:09:44

foto nga VCG

foto nga VCG

Shtetet e Bashkuara përdorën edhe një herë sanksionet, për të protestuar ndaj urdhër-arresteve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, kundër kryeministrit izraelit Netanyahu dhe të tjerëve. Ky veprim i palës amerikane ngjalli kritika të gjera në opinionin publik global. Sipas një sondazhi të CGTN-it për përdoruesit e rrjetit në mbarë botën, 90.1% e të anketuarve besojnë se sanksionet e SHBA-së nuk kanë legjitimitet, madje e kritikojnë atë për mungesë respekti për organizatat dhe rendin ndërkombëtar.

Kjo nuk është hera e parë që Shtetet e Bashkuara tentojnë të vendosin sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në vitin 2020, presidenti i atëhershëm Donald Trump, lëshoi një urdhër ekzekutiv duke njoftuar se SHBA do të vendoste sanksione ndaj zyrtarëve të GJPN-së, për përfshirjen e tyre në hetimin e sjelljes së SHBA-së në luftën në Afganistan. Sondazhi zbuloi se 85.2% e të anketuarve globalë, besonin se sanksionet abuzive të Shteteve të Bashkuara kundër vendeve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare, kanë dëmtuar seriozisht rendin ndërkombëtar multilateralist, me OKB-në në thelbin e saj.

Që nga viti 1950, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr botën në përdorimin e sanksioneve. Të dhënat e publikuara nga Departamenti i Thesarit, treguan se vitin e kaluar SHBA sanksionoi më shumë se 20 vende. 78.9% e të anketuarve u tronditën nga këto të dhëna dhe e konsideruan SHBA-në si të vetmen “superfuqi sanksionuese” në botë. Megjithatë, “sanksionet amerikane” nuk janë të autorizuara nga asnjë organizatë apo ligji ndërkombëtar. SHBA po vendos ligjin e saj të brendshëm mbi ligjin ndërkombëtar.

Lidhur me këtë, 86.1%  e të anketuarve theksuan se sanksionet e njëanshme janë bërë një mjet për Shtetet e Bashkuara, për të ruajtur hegjemoninë globale, për të shtypur konkurrentët, për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendeve të tjera, madje edhe për të përmbysur regjimet e tyre. Një përdorues i rrjetit tha në përgjigje: "Disa vende janë mësuar të vendosin sanksione ndaj vendeve të tjera. Ata mendojnë se zotërojnë të vërtetën dhe e trajtojnë veten sikur të ishin gjykatës dhe juri.”

foto nga CGTN

foto nga CGTN

Ndërkohë, ekonomitë e vendeve të sanksionuara po vuajnë nga frenimi i zhvillimit dhe vështirësitë. Sondazhi zbuloi se 93% e të anketuarve ishin thellësisht të shqetësuar për krizën humanitare të shkaktuar nga “sanksionet amerikane”. Një përdorues i rrjetit tha saktësisht, "Abuzimi me sanksionet është një grabitje dhe dëm për njerëzit."

foto nga CGTN

foto nga CGTN

Sondazhi u publikua në platformat angleze, spanjolle, franceze, arabe dhe ruse të CGTN-it. Mbi 15,000 njerëz votuan brenda 24 orëve.  (Fang Xiaoyu/Elona)