Presidenti i INTERPOL-it: Të luftojmë krimin kibernetik, së bashku garantojmë një botë më të sigurt
2024-06-12 09:53:13

Foto nga ATSH

Presidenti i INTERPOL-it, Ahmed Naser Al-Raisi, ka vlerësuar bashkëpunimin me Shqipërinë, si një shembull të mirë lidhur me rritjen e sigurisë kibernetike, por edhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionin në operacionet e përbashkëta.

Nga Tirana, ku po zhvillohet konferenca e 51-të Rajonale e INTERPOL-it, Ahmed Naser Al-Raisi tha se agjencia ka trajnuar dhe mbështetur të 196 vendet anëtare, ndërsa shtoi se të gjithë së bashku do të jenë më të fortë në luftën ndaj krimit dhe paligjshmërisë, për një botë më të sigurt, citon “RTSH”.

Presidenti Naser Al-Raisi ka kërkuar që vendet të forcojnë edhe më tej bashkëpunimin si dhe të shfrytëzojnë database-t e INTERPOL-it për garantuar rendin dhe sigurinë në vendet e tyre, por edhe në Europë dhe botë.

“Vendet anëtare të INTERPOL-it ndajnë burime në çështje që kanë të bëjnë me interesa e projekte të përbashkëta dhe agjencitë ligjzbatuese si EUROPOL dhe FRONTEX. Janë rritur akseset në këto institucione dhe trajnimet. Theksoj rolin e rëndësishëm të INTERPOL-it në mbështetje të vendeve partnere, bashkëpunimi me të cilët është gjithashtu i rëndësishëm. Ju inkurajoj të gjithëve që t’i përdorini databazat dhe të dhënat e INTERPOL-it për të mbështetur operacionet tuaj dhe të përditësoni të dhënat për të mbështetur inteligjencën tuaj dhe luftën ndaj krimit. Marrim përgjegjësi për të siguruar integritetin e sistemit dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të ruajtur vlerat e misionit tonë. Përgjatë dy ditëve në vazhdim do të adresojmë disa nga çështjet më të rëndësishme për sfidat që ka Europa. Kjo iniciativë ka për synim ndalimin e krimit kibernetik. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aksion reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrit sigurinë kibernetike”,- tha presidenti i INTERPOL-it.

Ahmed Naser Al-Raisi bëri edhe një rezyme të arritjeve të INTERPOL-it gjatë 2023-shit, kur ka bashkëpunuar me 29 shtete në luftën ndaj krimit dhe trafikut të drogës.

Konferenca e 51-të Rajonale e INTERPOL-it për Europën zhvillohet në Tiranë më datat 11-13 qershor 2024 dhe marrin pjesë rreth 200 përfaqësues nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve të Europës dhe më gjerë. (Elona)