Investimet e huaja në nivelin më të lartë historik, 354 milionë euro në 3 muajt e parë
2024-06-12 11:34:29

Foto nga VCG

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se për tremujorin e parë të vitit investimet e huaja direkte arritën vlerën e 354 milionë eurove, niveli më i lartë historik për këtë periudhë të vitit, bën të ditur “ATSH”.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja janë rritur me 15.3%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të parë të vitit, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme në masën 23%, në sektorin e ndërmjetësimit financiar në masën 21%, të hidrokarbureve në masën 13%, energjetikës në masën 5%, si dhe komunikacionit në masën 5%.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte shënuan vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë. (Elona)