HEC-et private rrisin prodhimin, realizuan 50.3% të energjisë
2024-06-11 11:08:50

Foto nga Oranews

Në tremujorin e parë të këtij viti energjia e prodhuar nga hidrocentralet private, koncesionare dhe prodhuesit fotovoltaikë në Shqipëri, e tejkaloi atë të prodhuar në HEC-et publike, shkruan “ATSH”.

Sipas INSTAT-it, hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 1.246 GWh nga 1.156 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 7.8%.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e parë, prodhuan 1.162 GWh nga 1.614 GWh në tremujorin e parë të vitit 2023, duke shënuar një rënie të prodhimit me 28.1%.

Prodhimi i energjisë nga impiantet fotovoltaike në tremujorin e parë llogaritet në 70.140 MWh nga 16.515 MWH që ishte në të njëjtën periudhë të 2023-shit.

Ndryshimi në tregun e prodhimit të energjisë lidhet së pari me rritjen ndjeshëm të numrit të HEC-eve private që janë futur në ciklin e prodhimit, por dhe me politikat e kompanive publike për të administruar rezervën hidrike në kaskadën e Drinit.

Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të zvogëluar nevojën për importe të energjisë elektrike, vendi po bën përpjekje për të diversifikuar burimet e energjisë. (Fatosi)