Fitore historike për partinë e ekstremit të djathtë francez të Le Pen
2024-06-11 10:33:26

Foto nga VCG

Sondazhet franceze tregojnë se lista e Tubimit Kombëtar e Marine Le Pen, e udhëhequr nga Jordan Bardella, ka dalë në krye të partive me më shumë se 30% të votave. Asnjëherë kjo parti nuk ka arritur të marrë një numër kaq të madh votash, shkruan “RTSH”.

Partia Rilindja e presidentit Macron, e udhëhequr nga Valerie Hayer, ka dalë e dyta me 15.2%. Socialistët, nën drejtimin e Raphaël Glucksmann, kanë arritur 14%.

“Reconquest” i ekstremit të djathtë të Eric Zemmour ka arritur 5.5%, ndërsa krahu i majtë “France Unbowed” (LFI) ka marrë 8.3%.

Të Gjelbrit arritën vetëm 5.2%, pak më shumë se 5% e nevojshme për të shkuar në Parlamentin Europian.

Pjesëmarrja në votime në Francë ishte afërsisht 51%, pak më e lartë se 50.12% e vitit 2019.

Duke folur para mbështetësve, shefi i listës së Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, deklaroi se francezët kanë dhënë një vendim pa apel, duke i dhënë partisë së tij më shumë se 30% të votave.

Kjo është më shumë se dyfishi i asaj që arriti partia e residentit Emmanuel Macron (15%).

“Ne e mirëpresim këtë vendim me përulësi dhe seriozitet. Votuesit francezë kanë shprehur dëshirën për ndryshim. Ky mesazh i qartë për liderët europianë tregon vullnetin e francezëve për të parë që Europa të ndryshojë kursin. Një erë shprese po fryn mbi Francë dhe është vetëm fillimi”,- tha Bardella. (Fatosi)