Aleanca e qendrës së djathtë fiton zgjedhjet parlamentare në Bullgari
2024-06-11 11:35:54

Foto nga VCG

Aleanca pro perëndimore e qendrës së djathtë Gerb-SDS ka dalë si fituesja e qartë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Bullgarisë, njofton “ATSH”.

Zgjedhjet e gjashta parlamentare të Bullgarisë në pak më shumë se tre vjet u zhvilluan paralelisht me zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Aleanca e qendrës së djathtë Gerb-SDS e ish-kryeministrit Bojko Borisov, e cila ishte në pushtet deri në mars, parashikohej të merrte midis 23.5% dhe 25.2% të votave, sipas të dhënave nga institutet e kërkimit të opinionit të publikuara të dielën.

Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë (DPS), që përfaqëson tradicionalisht pakicën turke të Bullgarisë, çuditërisht dukej se do të dilte e dyta me 16% - 17.6% të votave.

Si blloku liberal-konservator PP-DB, i cili qeverisi në një koalicion me Gerb-SDS deri në mars, ashtu edhe partia pro ruse, skeptike ndaj BE-së “Vazrazhdane” (”Rilindja”), kishin një shans për të dalë të tretët me rreth 14% secila.

Për shkak të rënies masive të votave, bashkëkryetari i PP-së liberale, Kiril Petkov, shkroi në “Facebook” se ata tani do të ishin një parti e fortë opozitare.

Analistët politikë presin vështirësi në formimin e një qeverie duke pasur parasysh pamjen e fragmentuar të Parlamentit që po shfaqet.

Sipas anketuesve, pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishte mjaft e ulët, në rreth 30%. (Fatosi)