Në Beograd mbahet “Kuvendi gjithëserb” i Serbisë dhe Republikës
2024-06-10 15:45:11

foto nga CFP

foto nga CFP

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të shtunën se dialogu është rruga thelbësore për zgjidhjen e problemeve mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa kërkoi respektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, njofton RTSH.

Ai i bëri këto komente në Beograd gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverisë së Serbisë dhe Republikës Serbe, në atë që u quajt “Kuvendi gjithëserb”.

Qeveritë miratuan një deklaratë për siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmen e përbashkët të popullit serb.

Deklarata pritet të miratohet brenda 90 ditësh në parlamentin e Serbisë dhe atë të entitetit serb në Bosnjë.

Sipas autoriteteve serbe, ajo flet për çështjet në rajon, integrimet evropiane dhe ruajtjen e aleancave me vendet që e mbështesin Serbinë.

Në pjesën për Kosovën të deklaratës së “Kuvendit gjithëserb” theksohet se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, një nga përcaktuesit e identitetit kombëtar të serbëve, përfaqëson themelin e shpirtërores së popullit serb dhe gurthemelin e besëlidhjes serbe dhe rrugën e shenjtë”.

“Kuvendi gjithëserb” thuhet në deklaratë mbështet përpjekjet e Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, ndërsa dënon siç thuhet krijimin e qëllimshëm të kushteve të patolerueshme të jetesës për serbët dhe persekutimin e kryer nga institucionet në Prishtinë.