Ministrja Denaj: Bashkëpunimi Shqipëri-Itali, me rëndësi në sektorin e bujqësisë
2024-06-09 16:19:18

Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, vlerësoi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural dhe sigurisë ushqimore, ndërsa mori pjesë në aktivitetin “Kultivojmë të ardhmen”, i organizuar në kuadër të Javës së Kulturës së Italisë, nga Ambasada e Italisë në Tiranë në bashkëpunim me Agjencinë Italiane të Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS-Tirana) dhe “CIHEAM Bari”, shkruan “ATSH”.

Ministrja Denaj vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në sektorin e bujqësisë, me synim vendosjen e mirëqenies, agroekologjinë dhe inovacionin në favor të sistemeve të qëndrueshme agroushqimore në Shqipëri, si një model referimi për Ballkanin Perëndimor.

“Siguria ushqimore nuk është vetëm një shërbim, por është kthyer në një mision ku çdo investim, kontribut nga ekspertët dhe çdo shpenzim buxhetor në përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e njohurive, investimet në teknologji dhe inovacion, ndikojnë drejtpërdrejtë në garancinë për produkte cilësore të sigurta dhe në rritjen e vlerës për produktet shqiptare”,- deklaroi ministrja Denaj.

Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, vlerësoi potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e bujqësisë së qëndrueshme, ndërsa deklaroi se mund të zhvillohet së bashku zinxhiri agroushqimor për të zhvilluar prodhimin bujqësor në partneritet.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm aktorë kyç të bashkëpunimit italo-shqiptar në sektorin e bujqësisë, si drejtoresha e përgjithshme e AICS-Tirana, Stefania Vizzaccaro, drejtori i përgjithshëm i “CIHEAM Bari”, Maurizio Raeli, 
drejtoresha e Institutit Italian të Tregtisë me Jashtë (ICE/ITA), Francesca Mondello, si dhe përfaqësues nga AKU, ISUV, dhe AKVMB si institucione përfituese nga projektet e zbatuara nga “AICS/CIHEAM Bari”. (Irma)