Ministrja Balluku: Janë përmirësuar sistemet energjetike për sezonin turistik
2024-06-09 13:23:57


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi një takim me drejtorët rajonalë të OSSH-së, në lidhje me planin e masave për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit veror.

Ministrja Balluku (Foto Rtsh)

Ministrja Balluku (Foto Rtsh)

Ministrja Balluku bëri të ditur se janë ngritur task forca dhe është bërë përmirësimi i sistemeve energjetike, shkruan “RTSH”.

Sipas saj, vëmendja kryesore duhet të jetë në ultësirën perëndimore, por, nuk duhet lënë pas dore edhe zona veriore, ku kërkoi vëmendje më të shtuar me grupet e punës.

“E gjithë pesha e sezonit bie mbi ju në këto momente. Jemi të gjithë në dijeni që fluksi i turistëve ka nisur që në fillim të majit dhe do të përfundojë ndoshta në fund të tetorit. Janë ngritur task forca, por OSSH-ja luan një rol shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtij sezoni. Ne kemi bërë edhe një përmirësim të sistemeve tona. Vëmendja kryesore qëndron në ultësirën perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhen lënë pas dore edhe zona e veriut. Atje duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme në terren”,- deklaroi ministrja Balluku.

Ajo bëri të ditur se qeveria po përgatit një ligj të veçantë që do t’i dedikohet investimeve në zonat veriore, që ka për synim edhe përthithjen dhe kthimin e emigrantëve që duan të vijnë dhe të vlerësojnë pronën që kanë. Sipas saj, detyra e parë që do të lindë menjëherë është forcimi i rrjetit energjetik. (Irma)