Presidenti Biden propozon që G7-a të ofrojë kredi për Ukrainën
2024-06-09 13:40:02

Presidenti amerikan, Joe Biden, u propozoi vendeve të G7-s të ofrojnë deri në 50 miliardë dollarë kredi për Ukrainë. Fondet do të mundësohen nga interesat e pasurive të ngrira ruse në institucionet financiare perëndimore, shkruan “Panorama”.

foto: VCG

foto: VCG

Presidenti amerikan dëshiron që homologët e tij në G7 ta miratojnë këtë plan në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë në Apulia të Italisë, që pritet të fillojë në 13 qershor. 

Por përpara se vendet partnere të G7-s të japin mbështetjen, do të duhet të qartësohen shumë detaje të kësaj skeme, deklaroi për mediet një person në dijeni të planit të presidentit Biden.

Pjesa më e madhe e pasurive ruse me vlerë rreth 280 miliardë dollarë, të ngrira nga institucionet perëndimore pas nisjes së konfliktit në Ukrainë në shkurt 2022, gjenden në Europë, kryesisht në Belgjikë, Francë dhe Gjermani.

Nëse kredia nuk jepet në emër të të gjitha vendeve të G7-s, ndoshta SHBA-ja, së bashku me vende të tjera aleate, si Kanadaja, Britania, Japonia dhe BE-ja, do ta jepnin këtë kredi së bashku dhe do të merrnin interesat e përfituara nga pasuritë ruse. Detajet e këtij plani janë të paqarta ndërsa vazhdojnë përpjekjet intensive diplomatike për të qartësuar aspektet ligjore dhe teknike. Por, ministrat e Financave të G7-s ranë përgjithësisht dakort për të mbështetur parimet e këtij plani gjatë takimit të tyre në muajin maj. (Irma)