OKB-ja thekson nevojat urgjente për veprim për mbrojtjen detare
2024-06-09 16:48:07

Në kuadër të Ditës Botërore të Oqeaneve, Kombet e Bashkuara bënë thirrje për mbrojtjen globale të jetës detare.

Gjatë një eventi të mbajtur në Nju Jork, u prezantua një video që i bëri jehonë temës së ditës, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për këtë problem, shkruan “Xinhua”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përmes një deklarate, theksoi rolin vendimtar të oqeaneve në ruajtjen e jetës në Tokë dhe nënvizoi problemet e shkaktuara nga njeriu me të cilin përballen ujërat.

foto: VCG

foto: VCG

Po ashtu, ai theksoi se ndryshimet e klimës po shkaktojnë rritjen e nivelit të deteve dhe kërcënojnë ekzistencën e shteteve të vogla ishullore në zhvillim dhe popullsive bregdetare.

Ai trajtoi gjithashtu ndikimet e rënda të acidifikimit të oqeanit në shkëmbinjtë koralorë dhe se si rritja e temperaturave të detit ka çuar në ngjarje ekstreme të motit. Mbipeshkimi dhe praktikat e tjera të dëmshme po përshpejtojnë shkatërrimin e ekosistemeve detare të botës.

Zyrtari i lartë i OKB-së bëri thirrje për një përpjekje kolektive midis qeverive, bizneseve, investitorëve, shkencëtarëve dhe komuniteteve për të mbrojtur oqeanet.

Organizata e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) publikoi në fillim të javës një raport të gjendjes së oqeaneve, i cili i shtyn politikëbërësit të marrin në konsideratë oqeanin që nevojitet për të ardhmen që kërkohet.

foto: VCG

foto: VCG

Raporti detajon kërcënimet në rritje për jetën detare, duke vënë në dukje se ritmet e ngrohjes së oqeanit janë dyfishuar në 20 vitet e fundit dhe se speciet bregdetare po mbyten nga nivelet e reduktuara të oksigjenit.

Raporti i UNESCO-s kërkon rritjen e optimizimit të burimeve, për të përshpejtuar ndryshimin e sjelljes dhe për të përmirësuar zbatimin e programeve të ruajtjes së oqeanit dhe praktikave të qëndrueshmërisë. (Irma)