“Bankers Petroleum” dhuron pajisje sportive për nxënësit në Fier
2024-06-08 14:19:47

Aktivitet sportiv nga Bankers (Foto Facebook Bankers Petroleum Albania)

Aktivitet sportiv nga Bankers (Foto Facebook Bankers Petroleum Albania)

Kompania kineze “Bankers Petroleum Albania” mundësoi furnizimin me materiale sportive të nxënësve të shkollës së mesme të bashkuar “Sotir Capo” në Zharrëz të Fierit.

Donacioni i topave të volejbollit, basketbollit, futbollit, të koneve të stërvitjes, rrjeta volejbolli dhe shumë të tjera, synon përmirësimin e programit të edukimit fizik të shkollës.

“Ne besojmë në fuqinë e sportit për të ndikuar pozitivisht në jetën e të rinjve. Këto materiale të reja do t'i ndihmojnë nxënëszit të përfshihen në aktivitete fizike, duke promovuar shëndetin, punën në grup, disiplinën dhe këmbënguljen”,- bëhet e ditur në njoftimin e “Bankers”.

Drejtoresha Matilda Koliçi shprehu mirënjohjen e saj për këtë donacion, duke thënë se nxënësit janë shumë të interesuar për sportin dhe se synohet të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme.

Koordinatorja e “Bankers” për Marrëdhëniet me Komunitetin, Entela Noka, deklaroi se një nga shtyllat e programit të investimeve të kompanisë kineze në komunitet është arsimi. Sipas saj, bashkëpunimi me shkollat bëhet për të inkurajuar të rinjtë të frekuentojnë aktivitete sportive.

“Në Bankers jemi të përkushtuar për të bërë një ndikim pozitiv dhe për të nxitur një të ardhme më të denjë për brezin e ardhshëm”,- deklaroi Noka. (Irma)