Shkalla e krijimit të ndërmarrjeve të reja në Shqipëri, më e ulëta që nga viti 2010
2024-06-08 17:18:53

Shkalla e krijimit të ndërmarrjeve të reja në vitin 2023 ishte më e ulëta që nga viti 2010 kur raportohet treguesi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), shkruan “Panorama”.

Ndërmarrjet e reja që u hapen në vitin 2023 përbënin 10.5% të ndërmarrjeve aktive në vend, rreth 130 mijë. Treguesi shënoi nivelin më të ulët që nga viti 2010 dhe ishte i njëjtë më vitin 2020, kur ekonomia ishte në krizë prej pandemisë Covid-19.

foto: VCG

foto: VCG

Të dhëna më të detajuara tregojnë se numri më i madh i ndërmarrjeve të reja vitin e kaluar ishte në sektorin e shërbimeve. Më 2023-shin u çelën gjithsej rreth 13 mijë biznese të reja, ku 84% e tyre ishin në sektorin e shërbimeve dhe vetëm 16 për qind në sektorin e prodhimit.

Më zhvillimin e vrullshëm në sektorin e turizmit dhe nënçmimin e euros ka një transferim të ekonomisë nga prodhimi drejt shërbimeve. Kjo zhvendosje po reflektohet në uljen e eksporteve të mallrave dhe me uljen e konkurueshmërisë së prodhimit vendas me importin.

Në përgjithësi, kushtet fiskale dhe administrative mund të ndikojnë në një ritëm më të ulët të hapjes së bizneseve të reja dhe sidomos barra rregullatore që ka të bëjë me marrjen e lejeve dhe licencave.

Gjithashtu bizneset e reja janë të varura shumë edhe nga burimet e njerëzore dhe aftësitë e tyre.

Ekonomia e Shqipërisë pas tre dekadash tranzicion po shkon drejt konsolidimit, në vend të njësive të vogla të shitjes me pakicë tani ka përqendrim në rrjetet e mëdha. Por në Shqipëri zhvillimet demografike po ushtrojnë presion të dyfishtë në biznese.

Reduktimi i popullsisë dhe varësia ndaj moshave të vjetra po ndikon në një kërkesë më të ulët për mallra për bizneset e tregtisë. Nga ana tjetër bizneset në tërësi, por edhe ato të reja e kanë të vështirë të gjejnë punonjës për shkak të emigracionit të lartë të të rinjve.

Qarqet me emigracion të lartë dhe me popullsi më të plakur kishin uljen më të madhe të stokut të bizneseve vitin e kaluar, sipas të dhënave të INSTAT-it. (Irma)