Kina kundërshton shitjen e armëve nga SHBA në rajonin e Tajvanit
2024-06-08 17:35:14

Kina kundërshton me vendosmëri shitjen e armëve nga SHBA në rajonin e Tajvanit dhe i kërkon palës amerikane që t’i tërheqë menjëherë ato, tha të premten Ministria e Mbrojtjes e Kinës.

foto: VCG

foto: VCG

Në përgjigje të miratimit nga Departamenti i Shtetit i SHBA të shitjes së armëve prej rreth 300 milionë dollarë në rajonin e Tajvanit të Kinës, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Kinës, Zhang Xiaogang, tha se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur parimin e “një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta midis Kinës dhe SHBA-së, veçanërisht Komunikatën e 17 gushtit, duke dëmtuar seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës dhe duke rrezikuar rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit.

Zhang theksoi se çështja e Tajvanit është vijë e kuqe numër një, që nuk duhet të kalohet mes Kinës dhe SHBA. Duke inkurajuar forcat separatiste për "pavarësinë e Tajvanit", SHBA po e shtyn gradualisht Tajvanin në një situatë të rrezikshme, gjë që përfundimisht do të dëmtojë vetë Shtetet e Bashkuara.

Kina i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të respektojnë parimin e “një Kine” dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, të tërheqin menjëherë planin e shitjes së armëve dhe të ndalojnë armatosjen e Tajvanit në çdo formë, tha Zhang. Ai shtoi se Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës vazhdon të intensifikojë trajnimin ushtarak dhe është e gatshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendit. (Li Huailiang/Elona)