Kina dhe Pakistani do të nxisin më tej projektin e Korridorit Ekonomik
2024-06-08 17:43:18

Foto: Xinhua

Foto: Xinhua

Kina dhe Pakistani ranë dakord të thellojnë më tej bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisin projektin e Korridorit Ekonomik, gjatë bisedimeve të premten midis Kryeministrit kinez Li Qiang dhe Kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif në Pekin.

Pas bisedimeve, palët nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi në fusha si transporti, industria, bujqësia, rregullimi i tregut, jetesa, ndërtimi i kapaciteteve, filmi dhe televizioni.

Kryeministri kinez tha se Kina është e gatshme të punojë me Pakistanin, për të rritur sinkronizimin e strategjive të tyre të zhvillimit, për t'u fokusuar në përmirësimin e projektit të Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan, për të nxitur projektet kryesore, për të zgjeruar bashkëpunimin në tregti dhe investime, për të promovuar zhvillimin e përbashkët, si edhe për të thelluar bashkëpunimin në industri, bujqësi, hapësirë ajrore, teknologji informacioni, ekologji dhe mbrojtje mjedisore.

Shehbaz shprehu mirënjohje për kontributet e Kinës në zhvillimin ekonomik dhe social të Pakistanit. Ai tha se Pakistani mbështet fuqimisht qëndrimin e Kinës për çështjet që lidhen me Tajvanin, Xizang, Xinjiang, Hong-Kongun dhe Detin e Kinës Jugore. Pakistani mbështet Kinën në ruajtjen e sovranitetit të saj kombëtar dhe integritetit territorial.

Kryeministri vuri në dukje se Pakistani është i gatshëm të punojë me Kinën për të avancuar ndërtimin e Korridorit Ekonomik në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" dhe të forcojë shkëmbimin dhe bashkëpunimin në fusha të tilla si ekonomia, tregtia, investimet, bujqësia dhe kultura.

Duke shprehur hidhërim për vdekjen e shtetasve kinezë në një sulm terrorist në Stacionin Hidroelektrik Dasu, Shehbaz tha se Pakistani do të përdorë të gjithë forcën e tij për të siguruar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze në Pakistan, si  edhe do të mposhtë me vendosmëri çdo përpjekje që dëmton miqësinë midis Pakistanit dhe Kinës. (Li Huailiang/Elona)