Presidentja e Maqedonisë së Veriut mandaton Hristijan Mickoskin për formimin e qeverisë
2024-06-07 14:47:35

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova dhe Hristijan Mickoski (Foto RTSH)

Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, mandatoi kryetarin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, për formimin e qeverisë së re.

Presidentja tha se Mickoski ka mundësi serioze për të formuar qeverinë e ardhshme, shkruan “RTSH”.

“Sipas Kushtetutës, një nga detyrat e presidentit është dhe ndarja e mandatit për formimin e qeverisë. Mandati ndahet 10 ditë pas konstituimit të Kuvendit. Kreu i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, ka mundësi serioze që të formojë një qeveri, të marrë 61 vota për programin dhe përbërjen e qeverisë së re, të cilën do ta prezantojë në një afat prej 20 ditëve”,- tha presidentja Siljanovska-Davkova.

Kryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se negociatat për qeverinë tashmë kanë përfunduar në pjesën e formimit të dikastereve qeveritare.

“Pres që ta dorëzoj përbërjen e anëtarëve të qeverisë së ardhshme e cila do të votohet para afatit të përcaktuar sipas ligjit dhe Kushtetutës”,- tha Mickoski në Kuvend, pas dorëzimit të amendamenteve të ligjit për organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore.

Mickoski ka afat 20 ditë në përmbylljen e negociatave me partitë e tjera dhe formimin e qeverisë së re. (Elona)