Ministrja Manastirliu: Edukimi, aleati kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore
2024-06-07 15:00:46

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)

Për herë të parë në Tiranë u mbajt konferenca 3-ditore e Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna”, e bashkorganizuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Kuvendi i Shqipërisë. Synimi është rritja e ndërgjegjësimit për arritjen e barazisë gjinore dhe luftën kundër formave të ndryshme të dhunës ndaj grave, me fokus të veçantë te dhuna psikologjike dhe ajo online, shkruan “ATSH”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e arsimit në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

“Edukimi është aleati kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave, përfshirë këtu të gjitha format e dhunës, sikurse është dhe dhuna psikologjike dhe ajo online”,- tha ministrja Manastiriu, duke theksuar se Ministria e Arsimit e ka si prioritet edukimin digjital dhe mediatik në shkolla.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe qeveria shqiptare ka prioritet absolut edukimin digjital dhe atë mediatik në shkolla. Kurrikula do të pasurohet me module të reja për edukimin digjital dhe mediatik, të cilat janë shumë të rëndësishme për ndërgjegjësimin dhe informimin e të rinjve”,- tha Manastirliu.

Në konferencën “Gra të lira nga dhuna” morën pjesë 55 delegatë të huaj, ndër ta 30 deputetë nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Europës, përfshirë Austrinë, Norvegjinë, Italinë, Holandën, Spanjën dhe Portugalinë. (Elona)