Ministri Balla: Asnjë justifikim për dhunën ndaj grave, as në shtëpi dhe as në vendin e punës
2024-06-07 15:08:28

Ministri Balla (Foto Rtsh)

Gjatë periudhës janar-maj 2024 janë evidentuar 2034 raste të dhunës në familje me 6 viktima, nga të cilat 2 janë gra, janë lëshuar 1081 urdhra mbrojtjeje dhe janë arrestuar 283 shtetas për dhunë në familje. Shifrat u bënë të ditura nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në konferencën e rrjetit parlamentar “Gra të lira nga dhuna”, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Europës. 

Ministri i Brendshëm theksoi se nuk ka e nuk mund të ketë justifikim ndaj dhunës ndaj grave, as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online dhe premtoi se lufta ndaj këtij fenomeni nuk do të ndalet, citon “RTSH”.

“Asnjë person nuk duhet të ndihet më pak i vlefshëm apo më pak i sigurt për shkak të asaj që është. Ne jemi të gjithë pjesë e një komuniteti të përbashkët, dhe është detyra jonë të sigurohemi që të gjithë të kenë mundësinë të kontribuojnë dhe të përparojnë”,- tha Balla.

Ministri shtoi se megjithëse statistikat janë shqetësuese ato nuk reflektojnë realitetin, pasi jo çdo akt dhune denoncohet.

Më tej, ai informoi se janë hedhur disa hapa në përpjekjen për të mbrojtur gratë.

“Është duke u punuar për ndryshimet në Kodin Penal ku Ministria e Brendshme, përmes drafteve të saj, ka propozuar ashpërsimin e masave për sa i përket dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Për sa i përket Policisë së Shtetit, që në ditët e para të detyrës sime si ministër i kam kërkuar Policisë së Shtetit që të hartojë një protokoll të detajuar për trajtimin duke nisur nga kontakti i parë i shtetit me viktimën e dhunës psikologjike apo fizike”, - nënvizoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Veç masave parandaluese dhe mbështetjes së viktimave janë shtuar  përpjekjet tona për t'i vënë autorët përgjegjës para drejtësisë.

Raportimi dhe denoncimi i rasteve të dhunës jo vetëm nga familjarë, të afërm por edhe nga komuniteti ka çuar në parandalimin e shumë ngjarjeve të rënda. (Elona)