Ministrja Kumbaro në Velipojë: Dyfishojmë ekipet njerëzore dhe pajisjet për pastrimin
2024-06-07 14:34:35

Ministret Kumbaro dhe Spiropali (Foto RTSH)

Ministret Kumbaro dhe Spiropali (Foto RTSH)

Në vijim të turit inspektues në nisje të sezonit turistik veror, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ishte në Shkodër, bashki që këtë vit do të mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit në pastrimin e bregdetit, si pjesë e operacionit “Plazhe të pastra”. 

Ministrja Kumbaro inspektoi vijën bregdetare të Velipojës shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Ministrja Kumbaro u shpreh se në Velipojë është bërë një ndryshim shumë i dukshëm për sa i përket punës për lirimin e hapësirave publike dhe sistemimit estetik të zonës, por parashikimet për flukse turistike rreth 40% më të larta këtë sezon veror kërkojnë një koordinim ndërinstitucional për menaxhimin e suksesshëm të tij, citon “RTSH”.

“Jam shumë e kënaqur që e mbështesim bashkinë e Shkodrës këtë vit duke dyfishuar gjithë forcat edhe ekipet njerëzore e pajisjet me pastrimin 24 orë në 24 në të shtatë ditët e javës në gjithë vijën e bregdetit”,- tha ministrja Kumbaro.

Operacioni “Plazhe të Pastra” ka hyrë në vitin e tretë të tij dhe gjatë këtij sezoni veror do të mbështesë 7 bashki në pastrimin e plazheve: Himarën, Sarandën, Vlorën, Rrogozhinën, Kavajën, Durrësin dhe Shkodrën. (Elona)