Shqipëri-Ukrainë, marrëveshje për kthimin e dokumenteve arkivore të rilindasve
2024-06-07 14:35:53

Marrëveshja me Ukrainen (Foto ATSH)

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave pasurohet me qindra dokumente mbi veprimtarinë e diasporës shqiptare në Ukrainë.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, nënshkroi me kreun e Shërbimit Shtetëror Arkivor të Ukrainës, Anatolii Khromov, një marrëveshje bashkëpunimi që kthen në atdhe dokumentet mbi veprimtarinë e rilindasve shqiptarë në Odesa, bën të ditur “ATSH”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas nënshkrimit të marrëveshjes, Bido theksoi se në kuadër të kësaj marrëveshjeje dypalëshe, arkivat do të bashkëveprojnë ndër të tjera përmes ekspozitave të përbashkëta, pjesëmarrjes në konferenca shkencore dhe profesionale, si edhe botimit të koleksioneve të përbashkëta të dokumenteve.

Marrëveshja e nënshkruar i hap rrugë shkëmbimit të dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptare në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare.

Në fjalën e tij për mediet, Bido u shpreh se nëpërmjet kësaj marrëveshjeje krijohet një kuadër ligjor, i cili krahas shfrytëzimit të dokumentacionit me dobi për publikun shqiptar, mundëson edhe shkëmbimin e përvojës dhe ekspertizës mes dy institucioneve bashkëpunuese. (Elona)