Raporti i OKB: Refugjatët rrezikojnë jetën përmes rrugëve nga Afrika për në Europë
2024-06-07 10:29:51

Refugjate (Foto Panorama)

Refugjate (Foto Panorama)

Çdo vit, shumë nga qindra mijëra refugjatët nga kontinenti afrikan, që kërkojnë azil apo punë në Europë, përballen me vdekjen, ngaqë ekzistojnë pak shërbime për t’i ndihmuar ata në këtë rrugëtim të rrezikshëm, sipas një raporti të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë UNHCR.

“Mungesa e shërbimeve kritike po i ekspozon refugjatët dhe emigrantët ndaj pasojave të rënda deri në vdekje dhe gjithashtu po i detyron ata të përdorin itinerare dytësore të rrezikshme”,- deklaroi i dërguari i posaçëm i UNHCR-së për situatën në pjesën qendrore të Mesdheut gjatë një konference shtypi në Gjenevë, citon “Panorama”.

“Disa refugjatë dhe migrantë po shpërfillin rreziqet dhe shumë prej tyre janë viktima të trafikantëve”, - tha ai.

Raporti vë në dukje vështirësitë me të cilat përballen refugjatët dhe emigrantët, të cilët rrezikojnë jetën duke përshkuar terrene të vështira që shtrihen nga Afrika Lindore dhe Perëndimore drejt bregut të Afrikës Veriore përgjatë Atlantikut dhe prej pjesës qendrore të Detit Mesdhe për në Europë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas UNHCR-së, refugjatët nga rreth 20 shtete të ndryshme afrikane vdesin ndërkohë që kalojnë nëpër shkretëtirë apo përgjatë zonave kufitare. Veç banorëve nga pjesa qendrore e Afrikës, sipas raportit, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish nga shtetet e Azisë dhe Lindjes së Mesme, përfshirë Bangladeshin, Pakistanin, Egjiptin dhe Sirinë shkojnë në Afrikën Veriore me destinacion përfundimtar Europën.

Raporti thotë se shumica e refugjatëve dhe emigrantëve gjatë rrugëtimit përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë dhunë seksuale dhe gjinore, rrëmbehen në shkëmbim të pagesës, torturohen dhe keqtrajtohen fizikisht.

Përveç konfliktit në Sudan, gjatë vitit 2023 një mori krizash të tjera i detyruan njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Që nga publikimi i raportit të kaluar në korrik të vitit 2022, UNHCR-ja bëri të ditur se rreth 3045 individë kanë humbur jetën apo figurojnë si të zhdukur nëpër këto korridore që kalojnë nëpër Mesdheun qendror dhe perëndimor dhe në rrugët detare të Afrikës Veriperëndimore.

“Por shifrat e vërteta ka gjasa të jenë më të larta meqë shumë prej incidenteve nuk dokumentohen”,- thuhet në raport. (Elona)