Kancelari gjerman mbështet deportimet në Afganistan dhe Siri pas vrasjes së një polici
2024-06-07 10:30:33

Kancelari gjerman (Foto DW)

Kancelari gjerman (Foto DW)

Kriminelët duhet të deportohen, edhe nëse vijnë nga Siria dhe Afganistani, deklaroi kancelari gjerman Olaf Scholz, në Parlament.

“Kriminelët e rrezikshëm dhe kërcënimet terroriste nuk kanë vend këtu”, - shtoi Scholz.

Kancelari nuk shpjegoi saktësisht se si synon ta bëjë këtë të mundur, por tha se Ministria e Brendshme po punonte për zbatimin praktik dhe se ishte në bisedime me vendet fqinje të Afganistanit, citon  “ATSH”.

Deklarata e tij vjen pas një sulmi të fundit me thikë në qytetin jugperëndimor të Manheim.

Në një tubim të organizuar nga lëvizja antiislamike “Pax Europa”, një afgan plagosi disa njerëz, duke përfshirë një oficer policie, i cili ndërroi jetë më vonë. Sulmi ndezi debate rreth lehtësimit të urdhërndalimit aktual të dëbimeve në Afganistan.

Scholz tha gjithashtu se krimet terroriste nuk do të toleroheshin më.

“Kjo është arsyeja pse ne do të shtrëngojmë rregullat tona të dëbimit. Kushdo që lavdëron terrorizmin është kundër të gjitha vlerave tona dhe duhet të deportohet”,- theksoi kancelari gjerman. (Elona)