Ministri Balla: Shqipëria ka praktikën më të mirë në rajon për luftën kundër ekstremizmit
2024-06-07 14:32:46

Ministri Balla (Foto Kohajone)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka vlerësuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile lidhur me luftën ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit në vend, si dhe rehabilitimin dhe riintegrimin e këtyre personave që riatdhesohen nga zonat e konfliktit, bën të ditur “RTSH”.

Gjatë prezantimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit kundër Ekstremizmit, ministri Balla tha se Shqipëria ka praktikat më të mira në rajon për luftën kundër ekstremizmit dhe rehabilitimin e viktimave, ndërsa shtoi se të gjitha institucionet po punojnë për krijimin e një strategjie edhe më të fortë kundër radikalizmit.

“Të krijojmë strategji konkrete për parandalimin e radikalizmit dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe është detyra jonë të bëhet gjithçka për rehabilitimin e të riatdhesuarve nga zonat e konfliktit. Kthimi i parë i shtetasve nga Iraku në vitin 2020, modeli i ndjekur nga ne dhe rehabilitimi dhe riintegrimi i çdo familjeje e bëjnë Shqipërinë vendin me praktikën më të mirë në rajon. Ndihemi të vlerësuar por edhe më të angazhuar për atë që ka të bëjë me bashkërendimin e punës ndërinstitucionale dhe përgjigjeve të shpejta proaktive për krijimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qeta”,- tha ministri Balla, duke theksuar se janë ngritur 12 komitete rajonale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Teksa vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional në këtë fushë, ministri Balla tha se radikalizmi është një çështje që kërcënon sigurinë globale dhe se lufta ndaj këtij fenomeni kërkon bashkëpunim mes vendeve. (Elona)