Mbahet në Tiranë konferenca e Shefave të Shtabeve të Përgjithshëm të Ballkanit
2024-06-07 14:31:09

Konferenca e Shtabit (Foto RTSH)

Shqipëria mikpriti Konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit, me pjesëmarrjen e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, dhe presidentit të Republikës, njëherësh komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.

Teksa u uroi mirëseardhjen, ministri Peleshi u shpreh se ky vit e gjen Shqipërinë në ballë të një morie angazhimesh rajonale.

“Roli i Shqipërisë në zhvillimin e bashkëpunimit rajonal, si dhe kontributi ynë i vazhdueshëm në garantimin dhe ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, qëndrojnë të palëkundura. Ne jemi paqedashës dhe të qartë në orientimin tonë drejt familjes perëndimore, ashtu siç jemi forcë shumëfishuese për vlerat dhe dinjitetin njerëzor, në një botë të udhëhequr nga rregullat”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes, në koherencë të plotë me politikën e jashtme të qeverisë shqiptare vijon të ketë në fokusin e saj promovimin e fqinjësisë së mirë, pranimit të njërit-tjetrit, integrimin e plotë euro-atlantik dhe forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit rajonal, citon “RTSH”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, e cilësoi këtë konferencë si një instrument mjaft të rëndësishëm për bashkëpunimin mes vendeve dhe stabilitetin në rajon. Kreu i shtetit tha se sfidat e sigurisë janë në rritje çdo ditë, ndaj kjo situatë kërkon forca të armatosura të përgatitura.

“Rinia është garancia e së ardhmes. Edukimi i tyre me kulturën e dialogut, respektit reciprok, të pranimit të diversitetit dhe të fqinjësisë së së mirë krijon kushtet për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Rinia është e ardhmja e Forcave tona të Armatosura dhe burimi i inovacionit që mund të ndryshojë mënyrën se si ne mendojmë dhe veprojmë në fushën e mbrojtjes, përfshirja e saj aktive në siguri dhe mbrojtje është e rëndësishme për të nxitur një ndryshim pozitiv dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e strategjive afatgjata”,- theksoi presidenti Begaj.

Qëllimi i iniciativës së Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të vendeve të Ballkanit është promovimi dhe forcimi i paqes dhe sigurisë rajonale nëpërmjet bashkëpunimit ushtarak të vendeve anëtare.

Pjesëmarrës në këtë aktvitet të rëndësishëm të drejtuesve më të lartë ushtarakë të vendeve të Ballkanit ishin edhe përfaqësues nga Komiteti Ushtarak i BE-së dhe Komanda e Forcës së Bashkuar e NATO-s (JFC) Napoli, Itali. (Elona)