AfD-ja gjermane humbet mbështetjen e publikut
2024-06-06 18:40:49

Gjermania (Foto Atsh)

Gjermania (Foto Atsh)

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) vazhdon të humbasë gradualisht mbështetjen e publikut, teksa përballet me një sërë pengesash.

Në një sondazh të publikuar nga instituti “Insa” për gazetën ”Bild”, përcjellë nga “ATSH”, rreth 15.5 për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për AfD-në nëse zgjedhjet federale do të mbaheshin këtë javë.

Kjo do ta vendosë AfD-në pas socialdemokratëve të kancelarit Olaf Scholz, të cilët janë në vendin e dytë me 16%.

Blloku konservator CDU/CSU, dy parti që efektivisht veprojnë si një në nivel kombëtar, mbetet forca më e fortë me 30.5%.

AfD-ja është tronditur nga polemika javët e fundit, me kandidatin kryesor të partisë për zgjedhjet europiane, Maximilian Krah, i ndaluar të bënte deklarata publike pasi tha se jo të gjithë anëtarët e forcave paraushtarake naziste SS ishin kriminelë.

Kandidati i dytë i partisë në zgjedhjet europiane, Petr Bystron, gjithashtu u tërhoq nga fushata pasi policia kontrolloi shtëpinë e tij në Berlin.

Bystron është nën hetim për pastrim parash dhe korrupsion. (Irma)