Hapen 15 qendra shëndetësore sezonale, shërbim ambulator 24 orë për turistët
2024-06-05 17:43:19

Qendër shëndetësore verore (Foto ATSH)

Qendër shëndetësore verore (Foto ATSH)

15 qendra shëndetësore verore sezonale janë hapur në rajonin e Vlorës, që kap një vijë bregdetare nga Lushnja në Ksamil.

Qendrat janë vendosur në Divjakë, Darzezë, Zvërnec, Plazh i Vjetër, Radhimë, Orikum, Palasë, Drimadhes, Dhërmi Fshat, Jalë, Himarë, Qeparo, Borsh, Ksamil 1 dhe Ksamil 2. 

Këtë vit vjen me risi shtimi i stafit mjekësor dhe qëndrimi hapur dhe shërbimi i pandërprerë 24 orë. Ato do të qëndrojnë të hapura në shërbim të pushuesve për katër muaj më radhë, deri në datën 30 shtator, bën të ditur “RTSH”.

Sipas shefes së Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor Majlinda Gjika, masat janë marrë dhe qendrat kanë nisur punën, të kompletuara me staf dhe bazë materiale.

“Janë pika e parë ku klientit do t’i ofrohet shërbim. Kemi shtesë të burimeve njerëzore kryesisht në Drimadhes, në plazhin Dhërmi e Palasë”,- tha ajo.

Fluksit gjithnjë e të shtuar të pushuesve vendas dhe të huaj, këto qendra do t’i përgjigjen në kohë dhe cilësi duke shënuar një hap të rëndësishëm si garanci për një sezon sa më të mbarë turistik në bregdet. (Elona)