Marrëveshja Izrael-Hamas e propozuar nga SHBA-ja, në OKB
2024-06-05 16:30:44

OKB (Foto ATSH)

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbështesë planin e shpallur nga presidenti amerikan, Joe Biden, që synon t’i japë fund luftës gati tetëmujore në Gaza, duke liruar të gjithë pengjet dhe duke dërguar ndihma masive në territorin e shkatërruar, shkruan “ATSH”.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se SHBA-ja u kishte paraqitur një projektrezolutë 14 anëtarëve të tjerë të Këshillit për të mbështetur propozimin për t’i dhënë fund konfliktit, që filloi me sulmin e befasishëm të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, duke shkaktuar vdekjen e rreth 1200 njerëzve, kryesisht civilë izraelitë.

“Shumë liderë dhe qeveri, përfshirë rajonin, e kanë miratuar këtë plan dhe ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që t’i bashkohet atyre në thirrjen për zbatimin e kësaj marrëveshjeje pa vonesë dhe pa kushte të mëtejshme”,- tha ajo në një deklaratë.

Projektrezoluta i bën thirrje Hamasit të pranojë plotësisht dhe të zbatojë kushtet pa vonesë. Hamasi ka bërë të ditur se e sheh propozimin “pozitivisht”. (Elona)