Studiuesit nga Shangai zhvillojnë një model më të saktë të motit përmes inteligjencës artificiale
2024-06-05 15:25:57

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Akademia e Inteligjencës Artificiale për Shkencën e Shangait dhe Universiteti Fudan zbuluan Fuxi 2.0, një model i përmirësuar me inteligjencë artificiale për parashikimin e klimës dhe të motit, shkruan “China Daily”.

Fuxi 2.0 ka saktësi më të lartë të parashikimit se modelet e mëparshme dhe është 1000 herë më i shpejtë, si dhe është më i lirë dhe i aftë për të gjeneruar parashikime afatgjata. Ai pritet të përmirësojë aftësitë e paralajmërimit të hershëm, menaxhimit të rrezikut dhe parandalimit të fatkeqësive në të gjithë Kinën.

“Rritja e shpeshtësisë së ngjarjeve ekstreme të motit për shkak të ndryshimeve klimaterike kërkon përmirësimin e parashikimeve të motit”,- deklaroi Qi Yuan, drejtor i akademisë.

“Fuxi 2.0 synon të zbusë dëmin e shkaktuar nga ngjarje të tilla duke ofruar parashikime më të sakta dhe në kohë’,- tha Li Hao, i cili drejton ekipin hulumtues të shkencës së tokës të akademisë, duke theksuar hapat e rëndësishëm të Fuxi 2.0 në parashikimin e fenomeneve ekstreme të motit, duke tejkaluar saktësinë e modeleve afatshkurtra dhe afatmesme të Qendrës Europiane për Parashikimet e Motit në Distanca të Mesme.

Versioni i parë i Fuxi u lançua në samitin e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimaterike COP28 në dhjetor, duke u bërë modeli i parë klimaterik nën-sezonal kinez i aftë për të gjeneruar parashikime për 15 deri në 60 ditët e ardhshme.

Li tha se Fuxi 2.0 mund të japë parashikime me rezolucion të lartë mbarëkombëtar me elemente meteorologjike tokësore, duke ofruar përditësime për orë të sakta brenda një kilometri, një përmirësim i madh në krahasim me modelet ekzistuese me rezolucion prej 10 deri në 25 km.

Për sektorin e ri të energjisë, Fuxi 2.0 ofron parashikime më të sakta të shpejtësisë së erës, rrezatimit dhe prodhimit të energjisë, duke lejuar prodhimin e optimizuar të energjisë nga era dhe dielli, si dhe balancimin e përmirësuar të ngarkesës së rrjetit.

Industria e aviacionit mund të shfrytëzojë aftësinë e Fuxi 2.0 për të parashikuar mbulimin e ulët të reve dhe mbulimin total të reve, duke ndihmuar në parashikimin e akullit, turbulencës dhe kushteve të pabarabarta të dritës, faktorë që ndikojnë në përvojat dhe kostot e fluturimit.

Akademia dhe 12 institucione të tjera, duke përfshirë shërbimet meteorologjike, organet kërkimore dhe drejtuesit e industrisë, kanë njoftuar formimin e një aleance ekologjike për inovacionin inteligjent meteorologjik. Ajo do të përdorë Fuxi 2.0 dhe do të nxisë bashkëpunimin midis sektorëve të kërkimit, arsimit dhe industrisë, për të nxitur përparime të mëtejshme teknologjike në parashikimin inteligjent të motit. (Elona)