Miratohet marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit
2024-06-04 15:30:39

Hekurudha (Foto Telegrafi.al)

Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme miratoi të hënën marrëveshjen e huasë mes Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që i hap rrugën ndërtimit të hekurudhës që lidh Vorën me Hanin e Hotit, njofton “ATSH”.

Shuma e huasë do të jetë 98.750.000 euro dhe kohëzgjatja e pagesës së huasë do të jetë 17 vjet, duke përfshirë periudhën prej 5 vjetësh pa pagesë principali.

Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, një pjesë e së cilës do të mbulohet edhe nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH-i dhe BE-ja, përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor, dhe Banka Europiane e Investimeve.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, e gjatë 120 kilometra pritet të nisë së shpejti dhe do të përfundojë brenda vitit 2030. Linja hekurudhore parashikohet të ketë shpejtësi 120 km/orë dhe do të jetë elektrike.

Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj.

Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet një fluks prej rreth 2.300.000 udhëtarë në vit dhe volum mallrash prej 900.000 tonë në vit.

Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë.  (Fatosi)