MJK: Ulja e suksesshme e sondës kozmike "Chang'e-6" në Hënë është një hap historik i Kinës për eksplorimin e kozmosit
2024-06-04 14:49:27

Një ilustrim i sondës Chang'e-6 në anën e pasme të Hënës. /CNSA nëpërmjet CMG

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha të hënën në një konferencë shtypi, se pas lëshimit dhe hyrjes në orbitë më 3 maj, sonda kozmike kineze "Chang'e-6" më 2 qershor u ul me sukses në zonën e parashikuar për zbritje, në anën e pasme të Hënës. Ky është një hap historik i Kinës në hulumtimin e hapësirës kozmike dhe gjithashtu një hap historik i njerëzimit në shfrytëzimin paqësor të kozmosit.

Lajmi mbi uljen e suksesshme e sondës "Chang'e-6" në pellgun e Polit të Jugut-Aitken, në anën e pasme të Hënës, ka tërhequr vëmendjen e gjerë të komunitetit ndërkombëtar. Drejtori i Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA) Josef Aschbacher tha se ulja me sukses e sondës "Chang'e-6" është një gjë kuptimplotë. ESA është mirënjohëse dhe krenare për pjesëmarrjen në këtë projekt.

Një mjet shpimi në sondën Chang'e-6 mbledh mostra nën sipërfaqen e anës së pasme të Hënës /CNSA

Duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse, Mao Ning tha se pas uljes në Hënë, "Chang'e-6" mblodhi mostrat e dheut të Hënës dhe të shkëmbinjve në sipërfaqje. Njëkohësisht kreu detyrat e hulumtimit shkencor, duke marrë shumë imazhe dhe të dhëna me vlerë. Në këtë sondë u mbajtën edhe ngarkesat për hulumtimin shkencor nga ESA, Franca, Italia dhe Pakistani.

"Njohja dhe hulumtimi i kozmosit është ëndrra e përbashkët e të gjithë njerëzimit. Shfrytëzimi paqësor i hapësirës kozmike do t'i sjellë njerëzimit më shumë të mira. Dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin ndërkombëtar në fluturimin hapësinor, në bazë të përfitimit reciprok, shfrytëzimin paqësor dhe zhvillimit gjithëpërfshirës, që të ndajmë rezultatet e zhvilimit dhe të hulumtojmë bashkërisht sekretet e kozmosit." (Wang Lei/ Elona)