Kinë: Udhëtimet ajrore të pasagjerëve vjet, më shumë se dyfishi i atyre të vitit 2022
2024-06-03 20:17:18

foto nga CFP

foto nga CFP

Sektori kinez i aviacionit civil shënoi rimëkëmbje të ndjeshme në vitin 2023, me udhëtimet ajrore të pasagjerëve që arritën më tepër se dyfishin e atyre të vitit 2022, sipas një komunikate të publikuar në uebsajtin e Administratës së Aviacionit Civil të Kinës. 

Rreth 619.58 milionë udhëtime ajrore pasagjerësh u raportuan vitin e kaluar në Kinë, me një rritje prej 146.1 për qind krahasuar me vitin pararendës, sipas kësaj komunikate. 

Vëllimi i përgjithshëm i transportit të mallrave dhe postës i këtij sektori u rrit në 7.35 milionë tonë vitin e kaluar, 21 për qind më shumë se më 2022. 

Në vitin 2023, Kina kishte 5 206 linja ajrore të rregullta të brendshme, duke lidhur 255 qytete apo rajone në pjesën kontinentale,  si edhe linja ajrore ndërkombëtare me 127 qytete në 57 vende, sipas komunikatës. 

Deri në fund të vitit 2023, Kina kishte 259 aeroporte për transportin e brendshëm, pesë më shumë se në vitin 2022. 38 prej tyre kishin një vëllim vjetor të pasagjerëve 10 milionë apo më shumë, vë në dukje raporti. 

Autoritetet e aviacionit civil të Kinës janë të angazhuara për të rritur dendurinë e fluturimeve ndërkombëtare të pasagjerëve si një objektiv kryesor për këtë vit, duke synuar të rimëkëmbin më tej udhëtimet ajrore ndërkombëtare. 

Disa kompani ajrore kineze kanë hapur kohët e fundit linja të reja ndërkombëtare për të lehtësuar udhëtimin ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera. Për shembull, "Air China" përuroi linjën Pekin - Madrid - Sao-Paulo më 27 prill, ndërsa "China Southern Airlines" filloi të vërë në funksionim linjën Shenzhen-Meksiko më 11 maj. Përveç kësaj, kompania ajrore "Hainan Airlines" planifikon që të çelë linjën Shenzhen-Budapest, ndërsa kompania tjetër "China Southern Airlines" do të hapë linjën Guangzhou-Budapest së shpejti. (Artan)