Avionët luftarakë izraelitë godasin objektivat e Hezbollahut në Liban
2024-06-03 16:31:49

Avionët luftarakë izraelitë (Foto ATSH)

Avionët luftarakë izraelitë (Foto ATSH)

Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer orët e fundit  disa sulme ajrore mbi postet e Hezbollahut në perëndim të qytetit antik të Baalbek në Libanin lindor, thanë burimet libaneze të sigurisë, njofton ATSH Burimet thanë se sulmi i parë ishte afër një ferme në periferi të qytetit Qald al-Sabaa në Baalbekun perëndimor.

 

Ata shtuan se të paktën dy persona u plagosën në sulm, por nuk specifikuan nëse ishin anëtarë të milicisë pro-iraniane të Hezbollahut.

 

Pak minuta më vonë, avionët luftarakë izraelitë bastisën gjithashtu zona në periferi të Chmistar pranë qytetit, Baalbek, duke shënjestruar atë që burimet thanë se ishte një zonë trajnimi e Hezbollahut dhe një depo armësh. Sulmet erdhën pasi Hezbollahu mori përsipër disa sulme ndaj posteve izraelite në Izraelin verior.

 

Që nga fillimi i luftës në Rripin e Gazës tetorin e kaluar, ka pasur përplasje të përditshme midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut dhe grupeve të tjera në zonën kufitare midis Izraelit dhe Libanit. Bombardimet e ndërsjella kanë shkaktuar shumë viktima dhe shkatërrime të rënda në fshatrat në të dy anët e kufirit. Rreth 150 000 njerëz janë evakuuar ose janë larguar nga zona e luftimit.(Fatosi)