MJK: Kina përkrah të gjitha përpjekjet paqësore për zgjidhjen e krizës së Ukrainës
2024-06-03 20:31:44

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning

Kina beson se duhet të përkrahen të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës së Ukrainës,  theksoi të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning. 

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi konferencën e paqes në Ukrainë që planifikohet të zhvillohet në Zvicër muajin e ardhshëm, zëdhënësja tha se Kina i jep rëndësi të madhe organizimit nga Zvicra të Samitit të parë për Paqes në Ukrainë dhe ka mbajtur komunikim të ngushtë me Zvicrën dhe palët e tjera të interesuara. Ajo ritheksoi se Kina është gjithmonë e mendimit që konferenca ndërkombëtare e paqes duhet të përmbushë tre elemente të rëndësishme, përkatësisht pranimin nga Rusia dhe Ukraina, pjesëmarrjen e barabartë të të gjitha palëve dhe një diskutim të drejtë të të gjitha planeve të paqes; përndryshe, është e vështirë që konferenca të luajë një rol thelbësor në rikthimin e paqes. 

Mao tha se përgatitjet për këtë samit nuk i kanë përmbushur tre elementet, duke e bërë të vështirë që Kina të marrë pjesë në të. Ajo vuri në dukje se qëndrimi i Kinës për samitin është i drejtë e i paanshëm, nuk shënjestron asnjë palë dhe nuk është kundër samitit. 

"Pjesëmarrja e Kinës ose jo në konferencë bazohet vetëm në gjykimin e saj për këtë konferencë dhe ne besojmë se të gjitha palët e interesuara mund ta kuptojnë qëndrimin e Kinës," theksoi zëdhënësja. 

Sipas saj, nëse dikush mbështet apo jo paqen nuk duhet të gjykohet nga vendet individuale apo nga konferenca të veçanta. 

Mao tha se Kina shpreson sinqerisht se konferenca e paqes nuk do të shndërrohet në një platformë për kundërvënien ndërmjet kampeve, duke shtuar që mospjesëmarrja në konferencë nuk do të thotë mosmbështetje e paqes. "Edhe në qoftë se disa vende të caktuara marrin pjesë në konferencë, kjo nuk do të thotë se ato vërtet dëshirojnë arritjen e një armëpushimi," theksoi zëdhënësja. 

Ajo shtoi se faktet kanë treguar që Kina ka qenë shumë e vendosur dhe aktive në nxitjen e paqes e të bisedimeve dhe nuk ka qëndruar duarkryq e nuk i ka hedhur benzinë zjarrit, apo aq më pak të ketë përfituar nga konflikti. (Artan)