Spanja kërkon bllokimin e disa funksioneve të “Meta”-s për zgjedhjet europiane
2024-06-02 10:33:22

Zgjedhjet europiane (Foto Atsh)

Zgjedhjet europiane (Foto Atsh)

Autoriteti Spanjoll i Privatësisë (AEDP) ka urdhëruar, si masë paraprake, bllokimin e dy funksioneve që “Meta”, kompania që zotëron “Facebook”, “Instagram”, “Threads” dhe “WhatsApp”, kishte planifikuar t’i vinte në dispozicion të përdoruesve gjatë zgjedhjeve europiane, shkruan “ATSH”.

Funksionet në fjalë quhen Informacioni i Ditës së Zgjedhjeve (EDI) dhe Njësia e Informacionit të Votuesve (VIU) dhe synojnë t’u ofrojnë përdoruesve informacion në lidhje me raundin zgjedhor për rinovimin e Parlamentit Europian.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Për garantuesin spanjoll të privatësisë, me këto funksione “Meta” synon të përpunojë të dhëna personale si, ndër të tjera, emrin e përdoruesit, adresën IP, moshën dhe gjininë ose informacionin mbi ndërveprimet.

Është pikërisht përdorimi i mundshëm i të dhënave personale që ngjall dyshime, pasi mund të përbëjë rreziqe serioze për të drejtat dhe liritë e përdoruesve të “Facebook” dhe “Instagram”.

Nisur nga këto premisa, AEDP-ja ka vendosur të ndërhyjë me një masë urgjente, në përputhje me atë që ishte vendosur tashmë nga Garantori Italian i Privatësisë, në mars 2023, në lidhje me mjetin “Meta Information” për ditën e zgjedhjeve.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Siç sqaron autoriteti spanjoll, kjo procedurë ende e hapur do të thotë se edhe në Itali “Meta” nuk do të mund të nisë funksionet elektorale për zgjedhjet europiane.

Në fund të prillit, Komisioni Europian njoftoi fillimin e procedurave formale për të vlerësuar nëse “Meta” kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA) në lidhje me reklamat mashtruese dhe me përmbajtje politike. (Irma)