OKB: Miliona persona në botë janë zhvendosur për shkak të konflikteve
2024-06-02 11:13:28

Kamione me ndihma per Gazen (Foto Rtsh)

Kamione me ndihma per Gazen (Foto Rtsh)

Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filipo Grandi, deklaroi se numri i personave që janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave, dhunës dhe përndjekjes ka arritur në rreth 114 milionë dhe ky numër vijon të rritet, pasi shtetet kanë dështuar që të luftojnë shkaqet, teksa palët e përfshira në luftëra po vazhdojnë të refuzojnë të respektojnë ligjin ndërkombëtar, shkruan “RTSH”.

Ai kritikoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që është përgjegjës për mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke thënë se ka dështuar të përdorë zërin e tij për të tentuar që të zgjidhë konfliktet, duke nisur nga Gaza e Ukraina dhe nga Sudani e deri në Kongo, Mianmar dhe pjesë të tjera.

Gaza (Foto Rtsh)

Gaza (Foto Rtsh)

Ai po ashtu akuzoi disa shtete, pa i përmendur ato, se po marrin vendime shkurtpamëse të politikës së jashtme, që shpesh janë të bazuara në standarde të dyfishta, që vetëm deklarojnë se respektojnë ligjin, por që Këshilli ka pak fuqi që të respektohet paqja dhe siguria.

Grandi tha se mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar do të thotë se palët në konflikt kanë ndaluar së respektuari ligjet e luftës, edhe pse disa prej tyre pretendojnë se po i respektojnë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Nuk është vonë që të vendosni fokusin dhe energjinë tuaj në krizat dhe konfliktet që janë ende të pazgjidhura, në mënyrë që ato mos të përkeqësohen dhe të shpërthejnë sërish. Nuk është vonë që të ndihmoni miliona njerëz që janë zhvendosur me forcë”,- tha ai. (Irma)