KE-ja ofron 16 milionë euro për agjencinë e ndihmës për palestinezët
2024-06-02 12:30:48

Flamuri i BE-se (Foto Atsh)

Flamuri i BE-se (Foto Atsh)

Komisioni Europian njoftoi se ka disbursuar 16 milionë euro (17.3 milionë dollarë) për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) për të ofruar shërbime shëndetësore dhe arsimore, shkruan “ATSH”.

UNRWA-ja, ofruesi kryesor humanitar në Gaza, ishte në qendër të vëmendjes në janar, kur Izraeli pretendoi se 12 nga punonjësit e saj ishin të përfshirë në masakrat e Hamasit më 7 tetor dhe se organizata në tërësi ishte infiltruar nga grupi islamik. Si rezultat, donatorët e mëdhenj si Gjermania ndaluan përkohësisht fondet.

Një raport auditimi i kryer nga ekspertë të pavarur, të paraqitur në Nju Jork muajin e kaluar, arriti në përfundimin se UNRWA-ja kishte krijuar një sërë mekanizmash të fuqishëm për të siguruar që parimi i neutralitetit të mbahej dhe se kishte ende vend për përmirësim.

Paneli i ekspertëve deklaroi gjithashtu se Izraeli nuk kishte ofruar kurrë prova për disa nga pretendimet e tij.

Komisioni Europian bëri të ditur se do t’i japë Autoritetit Palestinez 25 milionë euro, për të siguruar pagat dhe pensionet për nëpunësit civilë palestinezë në Bregun Perëndimor.

Ky është kësti i dytë që i jepet Autoritetit Palestinez si pjesë e paketës së ndihmës prej 118.4 milionë eurosh të rënë dakord në dhjetor 2023.

Kësti i parë prej 25 milionë eurosh është paguar në muajin mars.  (Irma)