Sezoni turistik, inspektorët shëndetësorë kontrolle në strukturat akomoduese
2024-06-02 10:58:56

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministrja Kociu (Foto Atsh)

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po merr masa për një sezon turistik të sigurt dhe të qetë.

Krahas dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, proces i cili u zhvillua në gati 25% më shumë territor se një vit më parë dhe do të vijojë, shumë të rëndësishme janë edhe masat për respektim të kushteve higjieno-sanitare nga njësitë akomoduese dhe ato të ofrimit të shërbimeve, baret, restorantet apo pishinat, shkruan “ATSH”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga kreu i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor të Tiranës, Klinton Leka, ishte në Golem, në Kavajë, ku inspektuan përmbushjen e masave higjieno-sanitare nga subjektet në fushën e hoteleri-turizëm, me fokus edhe pishinat.

Ministrja Koçiu deklaroi se marrja e masave për dezinfektimin dhe inspektimi i strukturave akomoduese bëhet për të garantuar një sezon turistik të qetë, të sigurt, të shëndetshëm, por dhe argëtues, duke shtuar se do të ketë rritje të kontrolleve nga inspektorët shëndetësorë.

Fokusi i ISHSH-së është monitorimi në mënyrë periodike dhe rigoroze i hoteleve apo strukturat e tjera, me qëllim parandalimin e infeksioneve që mund të përhapen përmes pishinave të ndotura.

Sipas ministres, bizneset duhet t’i shikojnë institucionet shtetërore si partnerë, në mënyrë që së bashku të ofrohet shërbim i denjë për pushuesit dhe turistët.

Gjatë inspektimeve dhe riinspektimeve nga ISHSH-ja, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet respektimit të normave hidroteknike dhe higjieno-sanitare për pishinat, si dhe respektimi i numrit të frekuentuesve. (Irma)