Parlamenti spanjoll miraton ligjin për amnistinë për separatistët katalanas
2024-06-01 16:35:17

Parlamenti spanjoll (Foto Rtsh)

Parlamenti spanjoll (Foto Rtsh)

Dhoma e Ulët e Parlamentit spanjoll rrëzoi veton e vendosur nga Senati, që është dhoma e lartë e legjislativit, duke miratuar amnistinë e kundërshtuar për separatistët katalanas.

Ky vendim parashikon që udhëheqësi i lëvizjes pro pavarësisë së Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili ndodhet në azil, të rikthehet në vendin e tij, shkruan “RTSH”. 

I miratuar me 177 vota pro dhe 172 kundër, legjislacioni kthehet në ligj pas publikimit në faqen zyrtare. Më pas gjykatat do të kenë dy muaj kohë për ta zbatuar atë dhe për të anuluar precedentët e qindra zyrtarëve dhe aktivistëve të përfshirë në lëvizjen separatiste të 2011-s, kur u tentua që krahina të shkëputej nga Spanja.

Projektligji ka shkaktuar protesta masive në vend gjatë muajve të fundit, dhe ka shkaktuar zemërimin e disa gjykatësve dhe opozitës konservatore që planifikojnë ta sfidojnë atë në gjykata.

Kryeministri socialist Pedro Sanchez e paraqiti propozimin për amnisti vitin e kaluar në këmbim të mbështetjes në Parlament të dy partive separatiste katalanase, çka i mundësoi të qëndronte në detyrë pas zgjedhjeve të vjetshme.

Por në fillim të këtij muaji, partia e Sanchez fitoi zgjedhjet lokale në Katalonjë dhe separatistët humbën shumicën që prej shumë kohësh e kishin në organin ligjvënës të krahinës.

Socialistët ndërkohë shpresojnë se amnistia do t’i ndihmojë të forcojnë aleancën e tyre me partitë e vogla për të kaluar në Parlament ligjet e tyre. (Irma)