Kryebashkiaku Veliaj njofton heqjen e mjeteve të braktisura në rrugët e Tiranës
2024-06-01 16:18:49

Tirana (Foto Atsh)

Tirana (Foto Atsh)

Të gjitha automjetet e braktisura nga pronarët e tyre apo ato të cilat janë të bllokuara për efekt hetimi, do të largohen nga rrugët e kryeqytetit, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, shkruan “ATSH”.

“Makinat e aksidentuara, për efekt hetimi, duhet të ruhen disa muaj. Disa mund të kenë edhe vite, në varësi si kanë shkuar ato gjyqe. Momentalisht komisariatet nuk i mbajnë dot, dhe nga mbingarkesa parkohen nëpër rrugë, gjë që pengon në përditshmëri dhe kur ka aktivitete”,- tha Veliaj.

Sipas tij, bëhet fjalë për të hequr nga Tirana edhe makinat e braktisura, apo ato që rrinë poshtë pallatave të lëna nga persona në emigracion.

“Bëhet fjalë për të pastruar jo vetëm atë segment të rrugës “Aleksandër Moisiu” në Kinostudio, por për të pastruar nga të gjitha rrugicat e Tiranës makina dhe mjete të braktisura. Sapo të kalojë ky vendim, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake do të bëjnë një pastrim total të Tiranës. Sidomos në këtë moment, ku duhet çdo vendparkim dhe me turistët e shumëfishuar, dhe me makinat me qira, që janë tërë kohën në lëvizje, është bërë vërtet një emergjencë”,- deklaroi Veliaj. (Irma)