Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Antikorrupsionin
2024-06-01 15:27:23

Kuvendi i Shqiperise (Foto Sotnews)

Kuvendi i Shqiperise (Foto Sotnews)

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan “ATSH”.

Komisioni i Posaçëm ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë dhe koordinojë një proces të thelluar reformimi, për përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet.

Po ashtu synohet thellimi i luftës kundër korrupsionit dhe forcimi i mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit “Screening” të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

Komisioni i Posaçëm përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare. (Irma)