Kryebashkiaku Veliaj: TUMO së shpejti me dy programe të reja
2024-06-01 15:29:59

Veliaj-TUMO (Foto Rtsh)

Veliaj-TUMO (Foto Rtsh)

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i pranishëm në konferencën e 4-t ndërkombëtare ICITTBT, deklaroi se Tirana është gati që të mikpresë edhe dy programe të reja studimi në qendrën TUMO, që do të ndihmojnë në adoptimin e teknologjive të reja dhe në krijimin e një ekonomie digjitale të qëndrueshme, shkruan “RTSH”.

“Këtë vit pritet të ketë rreth 20 mijë nxënës, nga 12 deri 18 vjeç, që të ndjekin kurset e TUMO-s. Ndërkohë, për moshën nga 18 deri 22 vjeç janë gati projekti “Ecole 42” nga Franca dhe për moshën mbi 22-vjeçare, për start-up, “Plug&Play” nga Kalifornia”,- deklaroi kryetari i Bashkisë Tiranë.

Ai theksoi se në fushën e teknologjisë po ecet më shpejt se çdo vend tjetër.

Tirana bëri bashkë ekspertë, studiues dhe biznese për të diskutuar zhvillimet e fundit në Inteligjencën Artificiale, Robotikë, Siguri Kibernetike, “Smart Cities” dhe Ekonominë Digjitale.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi rëndësinë e këtyre fushave në zhvillimin e qyteteve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kjo konferencë pritet të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe të nxjerrë në pah rolin e Shqipërisë si një qendër e rëndësishme për inovacionin teknologjik në rajon. (Irma)